• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ahmeti: Sipas statutit të BDI-së nuk lejohen fraksione, do të duhet të pritet deri në kongresin e ardhshëm

Ahmeti: Sipas statutit të BDI-së nuk lejohen fraksione, do të duhet të pritet deri në kongresin e ardhshëm

Tetovë, 1 prill 2023 (MIA) – Pas gati pesë orësh ka përfunduar mbledhja e Kryesisë qendrore të BDI-së, ku kryetari i partisë, Ali Ahmeti deklaroi se fraksione sipas statutit nuk lejohen, por tha se në kongresin e ardhshëm do të mbështesë një ide të tillë. Ky qëndrim vjen pasi një orë më parë disa nga anëtarët e kryesisë që në opinion njihen si "Grupi i zjarrit" thanë se do të funksionojnë si fraksion.

"BDI është parti që respekton vlerat dhe respekton demokracinë. Kuptohet, respekton edhe mendimin ndryshe. Sa i përket fraksionit, unë propozim të tillë kam pasur, kam dhënë në kongres partiak, por kam humbur në votimin e shumicës dhe unë si demokrat respektoj qëndrimin e shumicës dhe nuk largohem nga institucionet. Konform atyre vendimeve të kongresit dhe statutit të partisë, në BDI nuk lejohet funksionim i fraksioneve. Duhet të pritet deri në kongresin e ardhshëm, unë do të jem ai që do ta mbështes një veprim të tillë fraksionimi", tha Ali Ahmeti.

Edhe pse aktualisht fraksionet nuk lejohen, lideri i BDI-së tha se nuk është folur për përjashtimin e anëtarëve nga partia të cilët kanë vendosur të veprojnë si fraksion.

"Çdo veprim në kundërshtim me statutin është anarki dhe anarkia është armiku më i madh i demokracisë. Parimi është që pakica të respektojë qëndrimet e shumicës. Përndryshe do të ishin një parti anarkie, ku secili bën çfarë të dojë. Fraksionimi nuk lejohet sipas statutit, por nuk kemi diskutuar për përjashtimin. Demokracia është të pranohet mendimi i shumicës", deklaroi tutje Ahmeti.

Në mbledhje ka pasur raport për punën e funksionarëve partiakë në Qeveri ku shumica votoi pozitivisht.

"Ka pasur raport për punën e përfaqësuesve në Qeveri, pas së cilës ka pasur debat tërësisht të hapur lidhur me punën e Qeverisë, zbatimin e ligjit për gjuhët, projektet infrastrukturore dhe zhvillimet në vend në përgjithësi. Doja t'i dëgjoja, mënyrën e funksionimit të tyre. Unë jam veçanërisht i interesuar që përfaqësuesit qeveritar në koalicion të kenë bashkëpunim të mirë dhe kjo u shpjegua në mbledhje. Dhe është hapur debat në mbledhje. Pas debatit, raportin e kam vendosur për miratim. Nga anëtarët e pranishëm të kryesisë 26 votuan për raportin, gjashtë ishin kundër dhe tre të përmbajtur. Këtu debati u shter dhe takimin e radhës do ta thërras varësisht nga zhvillimet e ngjarjeve", theksoi para gazetarëve numri një i BDI-së, Ahmeti.

Ai informoi se në mbledhje para kryesisë ka shpjeguar mbi zhvillimin e ngjarjeve në vend dhe në rajon.

"Me theks të veçantë në marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë e quajtur edhe si Marrëveshja e Ohrit. Marrëveshje që është e rëndësishme për ne dhe për të gjithë rajonin, pasi rajoni hy në një gjendje paqeje që është veçanërisht e rëndësishme për të gjithë. Me dëshirën që kjo marrëveshje të respektohet dhe të implementohet nga të dyja palët”, theksoi Ahmeti.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR