• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ahmeti - Hasani: Evropa është alternativa e vetme për rajonin 

Ahmeti - Hasani: Evropa është alternativa e vetme për rajonin 

Shkup, 17 janar 2024 (MIA) - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i shoqëruar nga zëvendëskryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi kanë pritur sot në takim ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, ku kanë diskutuar rreth skenës aktuale politike, proceset në të cilat gjenden dy vendet, rrugën e integrimit evropian si dhe zhvillimet në rajon.

BDI në komunikatën me shkrim njofton se në takim janë rikonfirmuar marrëdhëniet e mira bilaterale dhe multilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, që të shërbejnë si model pozitiv për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

"Bashkëbiseduesit biseduan edhe për hapa konkretë për të forcuar bashkëpunimin në projekte të rëndësishme si Korridori 8, heqjen e kufinjëve, lidhjen hekurudhore, derisa angazhimi ndaj këtyre iniciativave në dobi të vendeve dhe qytetarëve të mbetet prioritet kryesor", theksohet në kumtesë.

Ahmeti më tej ka elaboruar në hollësi mbi iniciativën për frontin evropian dhe risqet nga ndikimet në rritje nga Rusia në vend dhe rajon.

Nga BDI njoftojnë se Ahmeti dhe Hasani janë dakorduar që Bashkimi Evropian është alternativa e vetme e rajonit tonë. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR