• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ahmeti – Vall: Vazhdimi i rrugës europiane garancë e sigurisë dhe stabilitetit rajonal

Ahmeti – Vall: Vazhdimi i rrugës europiane garancë e sigurisë dhe stabilitetit rajonal

 Shkup, 16 nëntor 2023 (MIA) - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka realizuar takim me Shefin e Misionit të OSBE-së në vendin tonë,  Kilian Vall.

Në fokus të bisedës mes tyre ka qenë momentumi politik në të cilin ndodhet vendi dhe mbarë rajoni i Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar hapin e eurointegrimit, rëndësia e ndërmarrjes së vendimeve të duhura proeuropiane që do të përforcojnë edhe themelet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Në këtë kontekst, siç theksohet në kumtesë, kreu i BDI-së Ahmeti ka njoftuar ambasadorin Wahl mbi përcaktimet e palëkundshme të subjektit që ai drejton, siç janë: përfundimi i procesit të skriningut, miratimi i ndryshimeve kushtetuese, mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në, hapja e kapitujve dhe kontinuiteti në realizimin e reformave të nevojshme.

Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për fqinjësi të mirë janë korniza tashmë e definuar e hapërimit progresiv të vendit, nga e cila nuk duhet devijuar për asnjë çast të vetëm.

Sa u përket zgjedhjeve, Ahmeti ka potencuar se BDI është e përgatitur për mbarëvajtjen e tyre në çdo kohë dhe se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në fokusin e çdo lëvizje politike në vend të jetë përcaktimi strategjik i integrimit në Bashkimin Europian e jo kalkulimet për pikë të ulëta politike me vendosjen e stërkëmbëzave në këtë rrugë që është shtegu ynë i vetëm i përparimit.

 Foto: BDI

QËNDRONI TË LIDHUR