• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ageler: Presionet ndaj pushtetit gjyqësor janë diçka që duhet të ndërpriten, që gjykatësit të mund ta praktikojnë të drejtën

Ageler: Presionet ndaj pushtetit gjyqësor janë diçka që duhet të ndërpriten, që gjykatësit të mund ta praktikojnë të drejtën

Shkup, 15 mars 2024 (MIA) – Presionet ndaj pushtetit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është diçka që duhet të ndërpritet. Gjykatësit duhet të lirohen që të munden ta praktikojnë drejtësinë. Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për këtë dhe gjithnjë e më shumë e kërkojnë këtë, porositi ambasadorja amerikane Anxhela Ageler në paraqitjen e saj në Konferencën Ndërkombëtare në temë “Mbrojtje kushtetuese – gjyqësore e mendimit dhe lirisë së shprehjes publike të mendimit”, e organizuar nga Gjykata Kushtetuese me rastin e 60-vjetorit të themelimit të saj me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup.

Ajo e theksoi siç tha përgjegjësinë vitale dhe të pazëvendësueshme të Gjykatës Kushtetuese gjatë gjashtë dekadave të kaluara në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë edhe lirinë e fjalës.

 “Në SHBA dhe këtu në Maqedoninë e Veriut, kjo gjykatë është thelbësore për të mundësuar një shoqëri transparente dhe të drejtë. Të gjithë duhet të respektojnë pavarësinë e gjykatësve të cilët duhet të jenë të verbër ndaj ndikimeve politike dhe mendimit publik dhe të udhëhiqen nga parimet që janë të bazuara në kushtetutat tona. Gjykatësi kushtetues amerikan ende beson se Kushtetuta jonë nuk është e shkruar në rërë për t'u larë me çdo valë gjykatësish të rinj që ndikohen nga valët politike. Presioni që u bëhet gjykatësve në këto gjykata mund të jetë i madh. Ne si qytetarë insistojmë që presionet të eliminohen dhe gjykatësit tanë të jenë gjithmonë të pavarur pavarësisht nga prejardhja dhe mendimet e tyre personale”, tha Ageler.

Ajo foli edhe për rolin e kësaj gjykate në kontekst të zgjedhjeve të ardhshme.

 “Nga pikëpamja e zgjedhjeve të ardhshme, pavarësia e gjyqësorit ka një rëndësi thelbësore, si gjithmonë deri më tani. Vetëm gjykatësit e pavarur mund të ruajnë sundimin e ligjit dhe të mbrojnë të drejtat. Gjykatësit duhet të veprojnë në mënyrë objektive dhe të drejtë. Kam dëgjuar shumë nga ju për presionet që ju janë bërë. Presionet mbi gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut janë diçka që duhet të ndalet. Gjykatësit duhet të lirohen për të ushtruar ligjin. Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë dhe e kërkojnë gjithnjë e më shumë”, theksoi Ageler.

Gjatë gjashtë dekadave të kaluara, shtoi ajo, përmes mendimeve të ndryshme juridike, interpretimeve dhe ndryshimeve Gjykata Kushtetuese ka vazhduar me mandatin e saj t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve në këtë vend dhe ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së në këto përpjekje.

Ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler në paraqitjen e saj theksoi se derisa festohet 60-vjetori i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, në Gjermani këtë vit shënohet 75-vjetori i Kushtetutës gjermane dhe përkujtoi se me këtë rast para disa ditëve, presidenti federal Frank – Valter Shtajmajer e ka filluar festën me debatin për situatën e demokracisë në Gjermani – nën titullin provokues “Doli mirë, por jo e garantuar”.

 “Po, është e mundur të humbet demokracia. Për të parandaluar erozionin e kulturës politike të hapjes dhe diversitetit, Presidenti Shtajmajer bëri thirrje për një ‘aleancë të gjerë të demokratëve’ në debatin e lartpërmendur. Gjykatat Kushtetuese duket se janë ndër partnerët e dukshëm për një aleancë të tillë. Si roje të respektimit të kushtetutave dhe me aftësinë e tyre për të kufizuar pushtetin shtetëror, gjykatat kushtetuese janë thelbësore për të garantuar sundimin e ligjit dhe janë thelbësore për çdo demokraci. Janë tre elemente bazë, të cilat janë thelbësore për përmbushjen e këtij standardi të lartë politik: pavarësia nga politika, kapaciteti funksional si institucion dhe integriteti profesional” theksoi ambasadorja Dreksller.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Vall, mes tjerash, e theksoi fuqizimin e Gjykatës Kushtetuese përmes vendosjes së mekanizmit efikas të parashtrimit të ankesave, i cili është i pranishëm tashmë një kohë të gjatë dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes së kësaj gjykate duke e shënuar si shtyllë të të drejtave të njeriut, sundimin e drejtësisë, demokracisë.

 “Në vend që të mbështetemi vetëm në GJEDNJ, ne e bëjmë drejtësinë më të kapshme dhe më të prekshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Jemi në këtë pikë kthese kur festojmë të shkuarën dhe shikojmë me optimizëm drejt së shkuarës dhe angazhohemi kolektivisht për një rrugëtim të suksesshëm të Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen. Misioni i OSBE-së në Shkup gjithmonë ka qenë dhe do të jetë partneri juaj i qëndrueshëm, gjë që vërtetohet edhe me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur me Gjykatën Kushtetuese për forcimin e kapaciteteve të kësaj gjykate. Me partnerët tuaj që janë këtu së bashku, do të mbështesim Gjykatën, e cila do të vazhdojë të shërbejë si një shtyllë solide për sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut”, tha ambasadori Vall.

Zëvendësshefi i Misionit të BE-së, Ben Nupnau, vlerësoi se Gjykata Kushtetuese e ka rritur transparencën e saj dhe foli për rrugën eurointegruese të vendit. 

 “Duke iu rikthyer ambicieve për integrim evropian, Maqedonia e Veriut përfundoi me sukses procesin e skriningut në vitin 2023. Vendi përgatiti një udhërrëfyes që do të jetë udhërrëfyes për harmonizimin e legjislacionit dhe që atëherë mund të konstatojmë me kënaqësi emërimin e gjykatësve shtesë në Gjykatën Kushtetuese, që është një element shumë i rëndësishëm për funksionimin e këtij institucioni”, tha Nupnau. .

Ai foli edhe për rregulloren ligjore në sferën e mediave ku, tha, shënohet përparim.

Në konferencë folën edhe presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, kryetari Kuvendit, Jovan Mitreski, kryetari i Qeverisë Talat Xhaferi, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga. fc/

   

QËNDRONI TË LIDHUR