• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ageler: Nën hetime janë politikanë, njerëz të drejtësisë dhe biznesmenë

Ageler: Nën hetime janë politikanë, njerëz të drejtësisë dhe biznesmenë

Shkup, 23 mars 2023 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë publikuar ende emrat e personave nën hetim për korrupsion të cilët mund të jenë pjesë e listës së zezë të saj, por thonë se nuk ka kufizime se cilin mund ta përfshijë kjo listë.

Në një intervistë për “Rruga drejt” në Alsat, ambasadorja amerikane Angela Ageler thotë se institucionet në Uashington janë shumë të kujdesshme në hetimin e plotë të emrave që kanë shqyrtuar, përpara se t'i publikojnë. Në hetime janë përfshirë politikanë, njerëz të drejtësisë dhe biznesmenë. Ageler tha se varet nga institucionet e vendit në Shkup se çfarë do të bëjnë me këta njerëz.

"SHBA-ja mund të sanksionojë individë, por ne nuk i arrestojmë, nuk vijmë këtu për t'i arrestuar, thjesht u themi se po vendosim sanksione të caktuara financiare ndaj tyre ose se ata nuk do të mund të udhëtojnë më në SHBA, apo çfarëdo forme sanksionesh që ata do të marrin. Kështu që SHBA-ja mund të thotë, këtu janë dy emra njerëzish që ne do të sanksionojmë, dhe siç e kemi parë me rastet që ju përmendët, sanksionet mbeten pavarësisht vendimeve të gjykatës që janë marrë për ata individë, por ato  nuk nxisin ndonjë padi këtu. Kjo i përket Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, dhe zyrtarëve të zgjedhur nga populli i këtij vendi. Ata duhet të thonë: ne kërkojmë nga të zgjedhurit tanë të marrin përgjegjësinë për korrupsionin që shohim çdo ditë", thekson Ageler.

E pyetur për projektin e fundit për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D, ambasadorja amerikane tha se institucionet duhet të hetojnë dyshimet e mundshme për kompaninë lokale që mbikëqyr punimet. Ajo shtoi se kompania amerikane “Behtel”, e cila po ndërton projektin, nuk është aspak e lidhur me këto dyshime.

"Mendoj se keni parasysh dyshimet për këshilltarët e transaksioneve financiare. Kjo është një çështje e veçantë nga kontrata me “Behtel-Enka”, e cila është nënshkruar rreth 10 ditë më parë dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë për atë kontratë për projektin më të madh infrastrukturor në historinë e këtij vendi. Ajo që ne vazhdojmë të themi është që nëse ka akuza për korrupsion, hetoni ato. Hetoni dyshimet dhe nëse janë të vërteta, ndiqeni penalisht! Por jemi shumë të sigurt që nuk janë për “Behtel”, thotë Ageler në intervistë për televizionin Alsat. sa/

Foto: Alsat

 

QËNDRONI TË LIDHUR