• e shtunë, 23 nëntor 2024

Ageler: Gjëja më e rëndësishme është të merret vendimi i duhur, votuesit duhet ta dinë planin e VMRO-DPMNE-së për integrim evropian

Ageler: Gjëja më e rëndësishme është të merret vendimi i duhur, votuesit duhet ta dinë planin e VMRO-DPMNE-së për integrim evropian

Shkup, 1 shkurt 2024 (MIA) - Ambasadorja amerikane në vend, Anxhela Ageler, thotë se më e rëndësishme është që në zgjedhjet e ardhshme të merret vendimi i duhur për ta çuar vendin përpara drejt Bashkimit Evropian.

Për planin e opozitës për rrugën evropiane të vendit, Ageler thotë se ai duhet të ndahet me qytetarët. E pyetur nëse do t'i kërkojë liderit të VMRO-DPMNE-së ta shohë atë plan, Ageler thotë se me kënaqësi do ta shihte nëse ai dëshiron ta ndajë atë.

"Por mendoj se është shumë më e rëndësishme që votuesit dhe njerëzit e këtij vendi të shohin dhe të dëgjojnë për atë plan dhe të dëgjojnë detajet e çdo plani që do të zgjidhte problemet aktuale me vendet e tjera. Shpresoj shumë që votuesit në vend t'u kërkojnë të gjithë kandidatëve që të kuptojnë shumë qartë se cilat janë planet e tyre për të ardhmen dhe si do t'i zbatojnë ato, thotë Ageler në një intervistë për televizionin 24.

Sa i përket ndarjes në Qeverinë teknike, ambasadorja amerikane thotë se ishte zhgënjyese që VMRO-DPMNE nuk e votoi këtë Qeveri, por megjithatë vendosën stafin e tyre në pozitat përkatëse.

"Pres që çdo qeveri të punojë në favor të popullit të saj. Dhe po, ishte zhgënjyese që VMRO-DPMNE nuk votoi për Qeverinë, por megjithatë i vendosën ministrat e tyre në pozitat përkatëse, dhe zëvendësministrat në ministritë e tjera, kështu që shpresoj se qeveria teknike do të vazhdojë të punojë në interesin më të mirë të qytetarëve të këtij vendi dhe deri më tani kanë treguar se do ta bëjnë këtë, kështu që shpresoj se do të vazhdojnë", thotë Ageler.

Sipas saj, partneriteti mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë edhe nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, ndonëse, thotë ajo, do të jenë të zhgënjyer.

"Partneriteti ynë është strategjik dhe nuk varet nga kjo. A do të zhgënjehemi? Absolutisht. Por partneriteti që kemi me Maqedoninë e Veriut është diçka që ka vazhduar që nga pavarësia e vendit dhe do të vazhdojë. Ju jeni një aleat i NATO-s dhe kjo nuk po ndryshon, kështu që marrëdhëniet janë të forta, dhe ju premtoj se ne kemi bërë gjithçka që është në fuqinë tonë, këtu në Ambasadën e SHBA-së çdo ditë, për të ndihmuar vendin të përmbushë aspiratat e tij evropiane, thotë Ageler në intervistën për televizionin 24. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR