• e enjte, 26 dhjetor 2024

Administrata komunale e Haraçinës nga sot nuk do të punojë për "shkaqe sigurie"

Administrata komunale e Haraçinës nga sot nuk do të punojë për

Shkup, 25 maj 2023 (MIA) - Shërbimi për informim i Komunës së Haraçinës i njofton qytetarët se administrata komunale nga sot nuk do të punojë për "arsye të sigurisë".

"Ju kërkojmë ndjesë që nuk do të mund të kryejmë shërbimet dhe obligimet ligjore ndaj qytetarëve, por një masë e këtillë ka të bëjë kryesisht me sigurinë e punonjësve të administratës komunale por edhe qytetarëve të cilët i drejtohen Komunës për të marrë shërbime", citohet në postimin e Fejsbukut zyrtar të Komunës së Haraçinës.

Në postim shtohet se vendimi i tillë është marrë pasi "për herë të dytë cenohet siguria e të punësuarve të administratës komunale dhe kryetarit të Komunës", Ridvan Ibrahimi.

"Një vendim i tillë është kundër vullnetit dhe dëshirës sonë, por është i pashmangshëm, thuhet në njoftim, në të cilin bëhet me dije se qytetarët do të njoftohen me shpejtësi për zgjidhjen e radhës për funksionimin e vetëqeverisjes lokale.

MPB-ja dje njoftoi se zyrtarët policorë kanë ndaluar të martën 69-vjeçarin R.A. nga Haraçina, duke vepruar sipas kallëzimit të kryetarit Ibrahimi, i cili ka raportuar në SPB Shkup se derisa nuk ka qenë i pranishëm në objektin e komunës, i arrestuari përballë personave të tjerë të pranishëm e ka kërcënuar me jetë.

Sipas Ibrahimit, kërcënimet janë shqiptuar "në lidhje me lëndën për ndarjen e shfrytëzimit të tokave".

Nga MPB informuan se pas dokumentimit të rastit kundër të arrestuarit do të ngritet kallëzim për veprën e bërë penale "rrezikim të sigurisë" sipas nenit 144 paragrafi 4 i Kodit Penal.

Ibrahimi në shtator të vitit të kaluar kishte denoncuar në polici se ishte shënjestër e një sulmi fizik. Sipas njoftimit të atëhershëm të MPB-së, më 13 shtator 2022 në ora 09:46, Ibrahimi ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga disa persona.

Siç raportuan në atë kohë disa nga mediat në gjuhën shqipe në vend, Ibrahimi pohoi se sulmuesit udhëhiqeshin nga një familjar i ish-kryetarit të Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.

"Arsyet e sulmit ishin mospërmbushja e kërkesave të tyre personale dhe afariste. Së pari ata kërkuan që emërimet e drejtorëve të shkollave fillore të bëhen sipas dëshirës së tyre, pa plotësuar asnjë kriter ligjor, në mënyrë që përmes tyre të arrijnë më lehtë qëllimet e tyre. Synimet e këtij grupi shkojnë në dëm të banorëve të Komunës, duke kërcënuar dhe shantazhuar punonjësit që kryejnë detyrën", tha Ibrahimi pas incidentit të shtatorit.

Ajvazi ishte kryetar i Komunës së Haraçinës nga viti 2013 deri në vitin 2017, ndërsa Ibrahimi e mban postin e kryetarit nga nëntori i vitit 2021. Të dy janë anëtarë të BDI-së. sa/

Foto: Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR