Ademi-Kryeziu-Hyseni: Integrimi në BE është qëllim i përbashkët i Shkupit dhe Prishtinës
- Integrimi në BE tani është qëllimi ynë i përbashkët, ndërsa për Republikën e Maqedonisë së Veriut tashmë është absolvuar anëtarësimi në NATO, prandaj edhe nga ky pozicion mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Aleancë, tha kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane (KÇE) Arbër Ademi, në takimin e sotëm me Delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryetarja e këtij trupi të punës, Arbëresha Kryeziu - Hyseni.
- Post By Sara Ademi
- 16:01, 31 tetor, 2023
Shkup, 31 tetor 2023 (MIA) - Integrimi në BE tani është qëllimi ynë i përbashkët, ndërsa për Republikën e Maqedonisë së Veriut tashmë është absolvuar anëtarësimi në NATO, prandaj edhe nga ky pozicion mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Aleancë, tha kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane (KÇE) Arbër Ademi, në takimin e sotëm me Delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryetarja e këtij trupi të punës, Arbëresha Kryeziu - Hyseni.
Në takimin me deputetët e Kosovës në Kuvendin e RMV-së, ku morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të KÇE-së, Ademi theksoi se Maqedonia e Veriut e mbështet anëtarësimin e Kosovës edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare në të cilat vendi ynë tashmë është anëtar, sepse, siç tha, ne jemi pjesë e Evropës.
Deputetja e Kosovës, Kryeziu - Hyseni, në fjalën e saj theksoi se Kosova për momentin është në një situatë specifike, përkatësisht në një lloj udhëkryqi politik, por që përveç kësaj, shoqëria duhet të orientohet edhe në çështjet e tjera që janë në interes të shtetit. Ajo theksoi se pret mbështetje nga RMV-ja në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Besoj, tha ajo, se do t'ju ndjekim në rrugën drejt BE-së, si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare ku tashmë jeni anëtarë.
Deputeti Halil Snopçe tha se Maqedonia e Veriut dhe Kosova si shtete janë në pozicione të ndryshme, por nga ana tjetër, të ngjashme në procesin integrues, veçanërisht nga aspekti i marrëdhënieve me disa nga vendet fqinje.
Deputetja nga Kosova, Time Kadrija vuri në dukje se përkundër sfidave me të cilat përballen të dyja vendet në rrugën integruese, Maqedonia e Veriut është në pozitë më të favorshme për shkak të anëtarësimit në NATO.
Bahrim Shabani, si përfaqësues i boshnjakëve në Kuvendin e Kosovës, theksoi se komunitetet joshumicë atje i mbështesin institucionet e Kosovës dhe janë të integruara në sistem nga të gjitha aspektet.
Deputetja Zhaklina Peshevska vlerësoi se presioni i jashtëm ndaj vendeve tona lidhur me integrimet ndoshta do të ishte më i dobët nëse do të kishte konsensus të brendshëm. Ajo gjithashtu vuri në dukje se zvarritja e procesit të anëtarësimit në BE kontribuoi në rritjen e euroskepticizmit në vend.
Deputetja Monika Zajkova, nga ana tjetër, tha se do të ishte mirë që Ballkani Perëndimor të integrohet në një pako në BE, sepse në këtë mënyrë do të shmangen pengesat me të cilat ballafaqohen disa vende për shkak të marrëdhënieve me fqinjët. sa/
Foto: Kuvendi i RMV-së