• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ademi: Nëse vendosim për një njësi zgjedhore, duhet të vendosim edhe për pragun prej pesë për qind dhe për listat e hapura

Ademi: Nëse vendosim për një njësi zgjedhore, duhet të vendosim edhe për pragun prej pesë për qind dhe për listat e hapura

ë[Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Nëse flasim për modelin dhe nëse vendosim për një njësi zgjedhore, duhet të vendosim për një prag dhe lista të hapura, pragun prej pesë për qind, thotë Arbër Ademi, i cili përfaqëson BDI-në në grupin e punës për reformat zgjedhore e cila sot e mbajti seancën konstituive.

"Ne jemi të hapur për të diskutuar për të gjitha propozimet e udhëhequra nga argumentet. Sot  nuk kemi folur për këtë temë, nuk kishte debat material për propozimet. Ky grup punues nuk është formuar  vetëm për këtë çështje për ndryshimin e modelit të zgjedhjeve, por edhe për çështje tjera. Pra, apriori, nëse flasim për modelin dhe nëse vendosim për një njësi zgjedhore duhet të vendoset edhe për pragun dhe listat e hapura, prag prej 5 për qind dhe përvoja të tilla kemi, por do të përmbahem për komente shtesë duke lënë hapësirë për të diskutuar  në mënyrë konstruktive në suaza të grupit të punës", tha Ademi në pyetjen e gazetarëve nëse BDI do ty mbështesë një njësi zgjedhore.

Në lidhje me detyrat e grupit të punës për reformat zgjedhore ai theksoi se ata do të mbështesin  zbatimin e rekomandimeve dhe vërejtjeve të OSBE/ODIHR, duke theksuar  se nevojitet  konsensus ndërpartiak për përgatitjen e kodit të ri zgjedhor.

"Sigurisht që qëndrimi ynë që në fillim është të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të përkthehen në dispozita ligjore specifike që do të jenë pjesë e Kodit Zgjedhor. Natyrisht, ne jemi të hapur për të diskutuar edhe tema të tjera, sepse çdo ndryshim, plotësim apo një kod zgjedhor krejtësisht i ri, natyrisht që kërkon një konsensus të gjerë ndëretnik dhe ndërpartiak, duke pasur parasysh se është një çështje e rëndësishme për përfaqësimin e qytetarëve, dhe kjo duhet të pasqyrojë heterogjenitetin e shoqërisë sonë", thotë Ademi.

Ai pret të gjitha partitë politike të japin kontribut konstruktiv në të gjithë këtë proces të përgatitjes së reformave në ligjvënien zgjedhore, pa kushtëzime.

"Nuk mund ta kushtëzojmë punën e asnjë grupi pune  me pjesëmarrje ose mospjesëmarrje duke dhënë propozime  jashtë grupit të punës. VMRO-DPMNE është parti politike relevante. Pres qasje përgjegjëse edhe nga ana e tyre. Këtu është vendi që të jepen propozimet dhe të debatojmë me argumentim për çdo propozim. Jemi të hapur për të diskutuar çdo propozim të bazuar në argumente", nënvizoi Ademi.

VMRO-DPMNE nuk e delegoi përfaqësuesin e saj në grupin e punës. Partia opozitare njoftoi dje se pranon modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe i bëri thirrje qeverisë që të gjejë një zgjidhje, pas së cilës njoftuan se do të përfshihen në përcaktimin e tekstit përfundimtar të kodit zgjedhor.

"Nëse qeveria nuk është gati për ndryshime thelbësore për demokratizim më të madh të modelit zgjedhor, dhe ndryshimet i referohen vetëm disa vërejtjeve teknike, të rëndësishme, por gjithsesi teknike të dhëna nga OSBE dhe ODIHR, ne i mbështesim, nuk kemi asgjë kundër, por ne nuk do të merrnim pjesë në atë proces vetëm për t'i dhënë legjitimitet politik pa pasur një përmirësim të konsiderueshëm të modelit zgjedhor, tha deputeti i kësaj partie Antonio Milloshoski. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR