• e diel, 24 nëntor 2024

Abot: Luftë e re në Kosovë nuk është e mundur, Serbia e di se NATO nuk do ta lejojë këtë

Abot: Luftë e re në Kosovë nuk është e mundur, Serbia e di se NATO nuk do ta lejojë këtë

Prishtinë, 9 shkurt 2024 (MIA) - Ambasadori britanik në Kosovë, Nikolas Abot i quajti joreale paralajmërimet për një luftë të mundshme në Kosovë, duke pasur parasysh mbështetjen që Kosova ka nga partnerët e saj ndërkombëtare, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në intervistën e djeshme për TV Klan Kosova, Abot tha se nuk ka gjasa të ketë një tjetër konflikt të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë, sepse, sipas tij, Serbia e ka të qartë qëndrimin e NATO-s dhe mbështetjen ushtarake ndërkombëtare që ka Kosova.

"Kur e shikoni mbështetjen ushtarake ndërkombëtare që ka Kosova, besoj se kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Mendoj se në Serbi e shohin qëndrimin e NATO-s, qëndrimin e partnerëve bilateral dhe e kuptojnë se kjo paraqet shumë rrezik. Mund të flasim me orë të tëra për qëllimet e tyre, ose gjërat që ata do të dëshironin t’i bënin, por bota nuk funksionon kështu”, tha Abot.

Duke folur mbi vizitën në Kosovë të ministrit britanik të Punëve të Jashtme, Dejvid Kameron, të realizuar në fillim të muajit të kaluar, ambasadori britanik tha se kjo vizitë ndodhi në një periudhë të ndryshimeve gjeopolitike, ndërsa qëllimi ishte që të jepej mesazhi se  Mbretëria e Bashkuar është fuqishëm e angazhuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovën.

Ai erdhi në Kosovë, nuk kishte vizita të tjera në rajon, nuk erdhi për të folur për Kosovën dhe Serbinë, por për të folur për Kosovën, sepse mendoj se ai i sheh çështjet këtu, situatën për Kosovën dhe rajonin, rreziqet dhe kërcënimet. Kjo do të thotë se duhet të jemi shumë të qartë në mbështetjen tonë, dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse ai e sheh një kontekst të gjerë gjeopolitik mbi atë që po ndodhë në Ballkanin Perëndimor", tha Abot. ls/ 

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR