• e enjte, 26 dhjetor 2024

Abdulsalam: Huthët kanë vendosur rregulla të luftës ku nuk është derdhur asnjë pikë gjaku

Abdulsalam: Huthët kanë vendosur rregulla të luftës ku nuk është derdhur asnjë pikë gjaku

Sana, 19 janar 2024 (MIA) - Huthët në Jemen porositën se nuk e kanë ndërmend të zgjerojnë sulmet e tyre ndaj anijeve rreth Detit të Kuq jashtë caqeve të deklaruara për bllokadën e Izraelit dhe hakmarrjen ndaj sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Zëdhënësi i Huthëve, Muhamed Abdulsalam i cili është negociatori i tyre kryesor në bisedimet paqësore për t'i dhënë fund luftës civile dhjetëvjeçare në vend, deklaroi në një intervistë për Rojters se Huthët nuk kanë plane të sulmojnë armiqtë e tyre të vjetër, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

"Nuk duam që të përshkallëzohet situata. Kjo nuk është kërkesa jonë. Kemi vendosur rregullat e luftës në të cilën nuk u derdh asnjë pikë gjaku apo humbje të mëdha materiale", tha Abdulsalam. "Kjo paraqiste vetëm presion mbi Izraelin, nuk ushtrojmë presion mbi asnjë vend tjetër në botë," shton ai.

Huthët të cilët me mbështetjen e Iranit kontrollojnë shumicën e zonave të banuara në Jemen, nga tetori po sulmojnë anijet në Detin e Kuq. Ata thonë se sulmojnë anijet që kanë lidhje me Izraelin për shkak të solidaritetit me palestinezët.

Atë që populli jemenas e bëri në fillim ishte që të qëllonte anijet izraelite që lundronin drejt Izraelit pa shkaktuar humbje njerëzore apo edhe materiale, duke parandaluar anijet të kalojnë sikur të kenë të drejtën natyrore, tha Abdulsalam. "Tani që Amerika është bashkëngjitur duke përshkallëzuar më tej situatën, nuk ka dyshim se Jemeni do të përgjigjet", tha ai.

SHBA, Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë filluan një seri sulmesh kundër Huthëve për të ndaluar sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare përmes një prej ngushticave më të ngarkuara në botë.

“Ne nuk duam që konflikti të përhapet në rajon dhe ne nuk e preferojmë atë, ende po punojmë për të parandaluar përshkallëzimin, por vendimi është në dorën e amerikanëve, përderisa ata vazhdojnë me sulmet", ka thënë Abdulsalam. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR