Është marrë në pyetje shoferi që e dërgoi Pallçon deri në Turqi, gjykimi vazhdon më 25 nëntor
- – Në debatin për vrasjen e Vanja Gjorçevkës dhe Pençe Zhezhoskit në Gjykatën Themelore Penale sot dëshmoi Stefan Dimkovski, personi i cili e dërgoi të akuzuarin Lupço Palevski nga Beogradi deri në Turqi.
- Post By Fitore Curri
- 16:13, 20 nëntor, 2024
Shkup, 20 nëntor 2024 (MIA) – Në debatin për vrasjen e Vanja Gjorçevkës dhe Pençe Zhezhoskit në Gjykatën Themelore Penale sot dëshmoi Stefan Dimkovski, personi i cili e dërgoi të akuzuarin Lupço Palevski nga Beogradi deri në Turqi.
Dëshmitari Stefan Dimkovski në fillim të dëshmimit tha se ka marrë pjesë në themelimin e partisë politike “E djathta”, ndërsa me Palevskin njihet nga viti 2017-2018 përmes aktiviteteve politike.
“Deri në vitin 2021 shkoja më shpesh në parti, nga viti 2021 kisha probleme private dhe shkoja rrallë”, tha dëshmitari.
I pyetur nëse Pallço i është lajmëruar më 1 dhjetor 2023, u përgjigj po.
“Më thirri në Telegram. Unë isha në Strumicë, sapo i çova fëmijët në çerdhe, shkova në servis për të ndërruar gomat e dimrit dhe më thirri Lupço Palevski në orën 15 në 9. “Çka po bën, a mund të vish të më marrësh nga Beogradi, erdha për kontrolle dhe diçka të kryej për partinë”? I thash se do të vij, vetëm ta përfundoj servisin”, sqaroi dëshmitari.
Vazhdoi, “më tha ta marr nga Beogradi dhe ta kthej në Maqedoni. Në Beograd arrita në orën 15:30 pasdite në datën një. Ma dërgoi një adresë ku ta gjej. E mora në qendër të Beogradit”.
I pyetur ku dhe kur ishin nisur, u përgjigj se ishin nisur që të kthehen drejt Shkupit.
“U nisëm menjëherë të ktheheshim në Shkup, kishte turmë, mu desh shumë kohë të dal nga Beogradi, diku në Planë të Madhe ndaluam për drekë. Më tha se do të shkonte në Beograd për të rregulluar diçka për përvjetorin e partisë dhe për të bërë kontrolle. Biseduam për fëmijët, problemet me shtyllën kurrizore. Më pas kemi biseduar për aktivitetet në parti, se është dashur të aktivizohet”, tha ai.
Nga Plana e Madhe, në kthim morëm rrugën për në Shkup, para Nishit më tha se duhet të ndalemi në Nish. Foli me Vaskon, avokati ia mbylli telefonin, atëherë e kuptova që ishte me Vaskon. Nuk e di pse foli me të, thjesht më njoftoi se ka folur me Vaskon. Pastaj ai tha se duket se do të na duhet ta kalojmë natën këtu, një njeri që duhej ta shihte i kishte lënë takim të nesërmen në orën 8:30”, tha dëshmitari.
Pastaj theksoi se kishin qëndruar në hotel në Nish dhe kur ishin ulur në tarracë, siç theksoi i kishte thënë se e kishte të rezervuar që të hënën në Turqi ta pranojnë për operacion për shtyllën kurrizore.
“Dhe më thotë se si duket se do të duhet të më kthesh në Beograd, se të shtunën ka fluturim prej andej, thotë pas takimit, të më kthesh. Pas 15 minutash më thotë, pse të flemë këtu, pse nga këtu, nëse nuk je i lodhur, ose do të ndërrohemi, për 5-6 orë me makinë më dërgo në Turqi. Hajde pash Zotin të mos shkoj ne aeroporte me çanta, Stambolli është qytet i madh, do me çosh te një turk, ai di maqedonisht, do të më dërgojë në klinika”, tha dëshmitari, duke shtuar se opsioni me i lirë ka qenë ta çojë drejt Turqisë.
I pyetur nëse në vendkalimet kufitare drejt Bullgarisë dhe Turqisë kishin problem, u përgjigj jo. Kur kishin arritur në Turqi, sipas dëshmisë, ishin akomoduar te një turk me emrin Usein, të cilin e kishte gjetur Palevski.
“Kërkonte miq për të gjetur akomodim falas nëpër hotele, nuk pati sukses, siç e kuptova më vonë përmes personit Velibor, ne kemi qëndruar në një shtëpi, ai ka paguar”, tha dëshmitari.
I pyetur nëse derisa vozisnin deri në Turqi, kishin vërejtur diçka të pazakonshme te i akuzuari Palevski, në kuptim të sjelljes së tij, dëshmitari u përgjigj jo.
“Në disa raste më ka kërkuar telefonin, ka telefonuar, një herë nuk ka pasur bateri, pastaj në Plovdiv kemi humbur, kemi hyrë në një rrugë të keqe, kemi ndalur dhe kur kam marrë internet ka kërkuar që të telefonoj Vlatko Keshishov. Shkova në banjë, nuk e dija se për çfarë po flisnin”, tha ai.
I pyetur pse Palevski ka vendosur që të akomodohej në shtëpi, ndërsa jo në hotel, u përgjigj se duhej të paguante 800 euro.
“Më lirë i vinte të marrë shtëpi të vjetër me qira për 150 euro. Shtëpia ishte marrë për tre muaj. Operacionin e kishte të caktuar në Stamboll për të hënën, për këtë arsye dëshironte akomodim më të lirë, ishte ngushtë me të holla”, tha dëshmitari.
Në vazhdim të dëshmisë tha se më 3.12.2023 pas mëngjesit ishte larguar.
“Në mëngjes më informoi, e pashë të zbehtë, thotë, ‘a e njeh vajzën që është zhdukur, atë në Shkup që ka shkuar në shkollë. Epo, ma ngjitin mua’. Thotë, “dje kanë hyrë në seli, është bërë bastisje, pesë persona janë arrestuar, çfarë kam unë me atë vajzën”, tregoi dëshmitari.
Shtoi se në pyetjen e tij çfarë lidhje ka partia me vajzën, u përgjigj se furgonin e kishin gjetur te partia.
Dëshmitari theksoi se ishin vendosur në Balikesir, dhe pasi ishte larguar Lupço kishte qëndruar në qytet.
“Pasi e lashë eca, eca gjatë gjithë rrugës dhe në mbrëmje kur u errësua u vendosa në një hotel. Kur u ktheva në hotel në mbrëmje, miqtë e mi filluan të më dërgonin linqe, "çfarë është kjo, mos po e kurdisin". Kur pashë se çfarë po thoshte ministri Oliver Spasovski, më ra të fikët në hotel. Unë fola me Palevskin dhe e pyeta se çfarë është kjo që po të përmendin ty. Pastaj më tha se është një kurdisje e vështirë dhe që atëherë komunikimi ka humbur”, tha dëshmitari.
I pyetur nëse derisa ishte bashkë me Lupçon, ai përmendi se dëshiron të udhëtojë në Minsk, u përgjigj se Palevski kishte thënë se ndoshta do të duhet të mendojë për azil politik.
“Nuk e di se çfarë ka planifikuar për mua Oliver Spasovski, ndoshta opsion është të kërkoj azil politik”, citoi dëshmitari.
I pyetur nëse në bisedë Palevski i ka thënë se e kërkon policia, u përgjigj negativisht.
“Nuk kam informacion të tillë, mendoj se nuk më tregoi një gjë të tillë”, tha dëshmitari.
Dëshmitari u përgjigj se Pallço normalisht ishte paraqitur në shtëpinë në Turqi, me pasaportën e tij dhe se nuk e kishte detyruar të shkojnë në rrugë alternative.
I pyetur nëse beson se sjellja e Palevskit paragjykon se është fajtor, ai u përgjigj “Mua nëse dikush më ngjit një gjë të tillë edhe unë do të isha i zbehtë”.
Më parë sot dëshmuan të njohur të Pallços, dëshmitarët Eroll Osmani dhe Lambe Buçkov.
Njëherësh, në seancën e sotme gjykata informoi se është dorëzuar deklaratë nga i akuzuari Vllatko Keshishov me të cilën e ndryshon dëshminë e tij të parë.
Avokati i tij, Igor Efremov, pas gjykimit deklaroi se edhe ai për herë të parë sot u njoftua me deklaratën dhe fillimisht do të duhet të shihet për çka bëhet fjalë.
Në seancën e ardhshme të caktuar për më 25 nëntor 2024 janë paraparë dëshmitarët Igor Janushev, Zoran Abaz dhe Lupço Micevski.
Në seancat e kaluara kanë dëshmuar nëna e Vanjës, vajza e Zhezhoskit dhe bashkëshorti i saj, si dhe më shumë persona të përfshirë në hetimin për dy vrasjet, mes të cilëve inspektorë dhe anëtarë të partisë politike "E Djathta". Në seancën e fundit është marrë në pyetje familja e babait të Vanjës.
Në seancën e parë të mbajtur i pandehuri Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, deklaruan se nuk ndihen fajtorë.
Sipas aktakuzës, ata kanë planifikuar së bashku të rrëmbenin vajzën 14-vjeçare për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë që të siguronte para për shpërblim. Ndërsa, rrëmbimi i të lënduarit Pançe Zhezovski në Veles ka qenë me qëllim që ta detyrojë t'ua japë automjetin e tij "Citroen" për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.
Vanja, e mitura dhe Pançe nga Velesi, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023.
Lidhur me këtë rast dyshohet se ka ndihmuar pas kryerjes së veprës edhe një person tjetër, ndaj të cilit do të zhvillohet procedura veçmas.
Gjykimi udhëhiqet nga gjykatësi Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësuese e palës akuzuese është prokurorja Zhaklina Kërstevska. Gjykimi vazhdon më 25 nëntor 2024. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s