• e shtunë, 23 nëntor 2024

Çka përmban Propozimi për qasjen drejt ndryshimit të Kushtetutës

Çka përmban Propozimi për qasjen drejt ndryshimit të Kushtetutës

Shkup, 18 gusht 2023 (MIA) - Kuvendi sot mbajti seancën e 123 me një pikë të vetme në rendin e ditës – propozim për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës me të cilin parashikohet përfshirja e bullgarëve dhe pesë bashkësive të tjera etnike në preambulën e Kushtetutës.

Pas miratimit të rendit të ditës, duhet të fillojë kërkimi për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për miratimin e të cilave është e nevojshme që të votojnë së paku 80 deputetë. Kjo është faza e parë nga tre fazat e nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës.

Qeveria është propozues i ndryshime kushtetuese. Propozimin e përgatiti grupi i punës i Ministrisë së Drejtësisë i përbërë nga ekspertë, profesorë të shquar nga disa universitete në vend, si dhe përfaqësues të partive politike.

Në vazhdim është teksti integral i Propozimit për qasje drejt ndryshimit me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës

Në bazë të nenit 130 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 18 korrik të vitit 2023, vendosi t'i parashtrojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut PROPOZIM PËR QASJE DREJT NDRYSHIMIT TË KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT ME UDHËZIME PËR NDRYSHIMIN E KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

I. NDRYSHIMET NË PREAMBULËN E KUSHTETUTËS

Në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut të zëvendësuar me Amendamentin IV, ndërsa Amendamentin IV i ndryshuar me Amendamentin XXXIV, pas pjesës së popullit boshnjak propozohet të shtohen pjesët e popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian.

II. NDRYSHIME NË AMENDAMENTIN XXXVI ME TË CILIN ËSHTË ZËVENDËSUAR NENI 49 DHE AMENDAMENTI II

Në amendamentin XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me të cilin zëvendësohet neni 49 dhe Amendamenti II, pas një pjesë e popullit boshnjak propozohet të shtohen pjesë të popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian.

III. NDRYSHIME NË AMENDAMENTIN XII ME TË CILIN ZËVENDËSOHET NENI 78

Në Amendamentin XII të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut që ka të bëjë me Komitetin për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, në pikën 1 propozohet të ndryshohet numri i anëtarëve dhe në vend të 19 anëtarëve aktualë, numri të rritet në 43 anëtarë, me ç'rast nga 16 anëtarë nga radhët e deputetëve në Kuvend, maqedonas dhe shqiptarë dhe nga një anëtar nga radhët e deputetëve turq, vllehë, romë, serbë, boshnjakë, bullgarë, kroatë, malazezë, sllovenë, hebrenj dhe egjiptianë.

ARSYETIM I PROPOZIMIT PËR QASJE NË NDRYSHIMIN E KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

Në bazë të Konkluzioneve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ("Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut" nr.161/22), të miratuar në seancën e mbajtur më 16.7. të vitit 2022, e në lidhje me pikën 4 të Konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian, të miratuara në seancën e mbajtur më 18.7. të vitit 2022 dhe pikën 11 të Qëndrimit të përbashkët dhe Deklarata hyrëse e Bashkimit Evropian në Takimin politik të Konferencës ndërqeveritare për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të mbajtur më 19.7. të vitit 2022 dhe pika 15 e Deklaratës së Maqedonisë së Veriut në Takimin politik të Konferencës Ndërqeveritare për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e mbajtur më ..... miratoi Propozim për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në frymën e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, të përfshira në Deklaratës universale të OKB-së, si dhe Paktin Ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike dhe në Konventën evropiane për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, e duke marrë parasysh se Bashkimi Evropian bazohet në vlerat e respektimit të të drejtave të njeriut, lirisë, barazisë, demokracisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi, Republika e Maqedonisë së Veriut, në përputhje me përcaktimin e saj strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, është e vendosur të zbatojë detyrimet e marra përsipër në kuadër të negociatave aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, që filluan me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare, të mbajtur më 19.7.2022.

Në këtë drejtim, në Qëndrimin e përbashkët të Bashkimit Evropian të miratuar në Takimin politik të Konferencës ndërqeveritare për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian pritet të mundësojë forcimin e të drejtave të barabarta të bashkësive për shkak të harmonizimit me kriteret e Kopenhagës. Për këtë qëllim, Republika e Maqedonisë së Veriut ka marrë përsipër detyrimin për ndryshimet përkatëse kushtetuese në mënyrë që të përfshijë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë në të dhe që janë pjesë e kombeve të tjera. Të vetëdijshëm se vendi ynë si subjekt ndërkombëtar ka marrë përsipër detyrime të qarta që duhet t'i realizojë me vullnet të mirë dhe pavarësisht dallimeve legjime politike ndërmjet mazhorancës qeverisëse dhe opozitës, jemi të bindur se nevojitet përgjegjësi e përbashkët në arritjen e qëllimeve strategjike, e më e rëndësishmja mes tyre është anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Në përputhje me karakterin multikulturor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të mbështetur zhvillimin demokratik, është e nevojshme të forcohet vazhdimisht sistemi politik në drejtim të njohjes, kultivimit, mbrojtjes, afirmimit dhe garantimit të diversiteti kulturor, si dhe mbijetesës së grupeve të ndryshme kulturore që jetojnë në territorin e shtetit tonë, në përputhje me kornizën tashmë të vendosur kushtetuese për multikulturalizmin e garantuar në mënyrë normative, e veçanërisht përmes instituteve ekzistuese për përfaqësim të garantuar të parashikuar nga Kushtetuta dhe në frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Këtë propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës, Qeveria e propozon duke filluar nga parimi kushtetues se qytetarët e Republikës duhet të kultivojnë përgjegjësinë e tyre ndaj së tashmes dhe së ardhmes dhe se ata janë të vetëdijshëm dhe mirënjohës ndaj paraardhësve të tyre për sakrificat dhe përkushtimin në përpjekjet e tyre për të krijuar një shtet të pavarur dhe sovran të Maqedonisë, si dhe se ata janë përgjegjës ndaj brezave të ardhshëm për ruajtjen dhe zhvillimin e gjithçkaje me vlerë nga trashëgimia e pasur kulturore dhe gjithçka e përcaktuar si një vlerë specifike kushtetuese nga Kryengritja e Ilindenit në vitin 1903 përmes Luftës Nacionalçlirimtare nga viti 1941 deri në vitin 1944, si dhe për krijimin e shtetit modern të pavarur dhe sovran maqedonas në vitin 1991.

Republika e Maqedonisë së Veriut, në traditën e saj kushtetuese ligjore, u garanton atyre lirinë e shprehjes, kultivimin dhe zhvillimin e identitetit dhe veçorive të bashkësive të tyre. Në kuadër të kësaj garancie, Republika e Maqedonisë së Veriut afirmon mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të të gjitha bashkësive. Kjo traditë kushtetuese juridike ka filluar në traditat juridike shtetërore të Republikës së Krushevës, si dhe me vendimet juridike që janë përmendur në Manifestin e Seancës së parë të KAÇKM-së, dhe vazhdoi me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë të vitit 1991, si dhe me ndryshimet në Kushtetutë që rezultojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001. Si rrjedhohë, këto tradita kushtetuese janë pjesë e aspiratës së vendit tonë për integrim të plotë në familjen evropiane të shteteve dhe popujve, si shtet demokratik i qytetarëve të barabartë.

Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Propozimin për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ia parashtron atë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në Propozimin janë përfshirë ndryshimet dhe plotësimet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me përfshirjen e pjesëve të popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian në Preambulën e Kushtetutës, Amendamentin XXXVI me të cilin zëvendësohet neni 49 dhe Amendamentin II, si dhe Amendamentin XII me të cilin zëvendësohet neni 78.

Në pjesën e preambulës propozohet që krahas popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom dhe popullit boshnjak, të shtohen qytetarët që janë pjesë e popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre, popullit egjiptian. Me Amendamenti XXXVI me të cilin zëvendësohet neni 49 dhe amendamentin II, detyrimi kushtetues i Republikës për t 'u kujdesur për diasporën e popullit maqedonas dhe për pjesët e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerëve, propozohet të plotësohet me një detyrim kushtetues për kujdesin dhe për diasporën e pjesëve të popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian. Në Amendamentin XII me të cilin zëvendësohet neni 78 propozohet rritje e numrit të anëtarët e Komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive nga 19 anëtarët ekzistues deri në 43 anëtarë me qëllim përfshirjen e anëtarëve, popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian. Me këtë rast, rritet numri i anëtarëve, përfaqësuesve të popullit maqedonas dhe pjesës së popullit shqiptar nga 7 anëtarët ekzistues, përfaqësuesve të popullit maqedonas dhe 7 anëtarëve, përfaqësues të pjesës së popullit shqiptar në 16 anëtarë, përfaqësuesve të popullit maqedonas dhe 16 anëtarë, përfaqësues të pjesës së popullit shqiptar për të siguruar përfaqësim të garantuar dhe për të ruajtur paritetin e vendosur të përcaktuar me ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, të miratuara në vitin 2001, e që rezultojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Foto: MIA arkivi/printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR