• e shtunë, 13 korrik 2024

Çibishev: Tek minorenët është dëshmuar prania e substancave psikoaktive, ata janë në gjendje stabile

Çibishev: Tek minorenët është dëshmuar prania e substancave psikoaktive, ata janë në gjendje stabile

Shkup, 13 korrik 2024 (MIA) - Është vërtetuar prania e substancave psikoaktive te katër pacientët e mitur që ndodhen në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup. Nuk është vërtetuar prania e alkoolit, ka konfirmuar për MIA-n drejtori Andon Çibishev, pasi dje në Klinikë janë pranuar katër të mitur në gjendje të rëndë.

"Të katër pacientët janë me vetëdije, në gjendje të përmirësuar shëndetësore, me parametra vitalë të qëndrueshëm. Ata nuk kanë lëndime të rënda. Vazhdon trajtimi dhe mbikëqyrja intensive në Klinikën universitare për Toksikologji", sqaroi Çibishev.

Ai më herët ka thënë për MIA-n se janë pranuar të mitur të moshës 14 deri në 17 vjeçare me dëmtim të vetëdijes.

Në pyetjen e mediave se deri ku janë hetimet dhe çfarë është vërtetuar në lidhje me këtë rast, nga Prokuroria Publike thonë se do ta informojnë më tej opinionin.

Rastin dje e kanë konfirmuar edhe MPB-ja, nga ku kanë bërë të ditur se në polici është raportuar për shkelje të rendit dhe qetësisë publike, ku katër të miturit janë gjetur në një shtëpi.

Nga MPB kanë thënë se në koordinim me prokurorin publik po merren masa për zbardhjen e rastit. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR