• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Çeshllaroska për MIA-n: Jemi të kënaqur nga vendimi qeveritar për punësimin e specializantëve privatë, nesër presim detaje në takimin me ministrin Taravari

Çeshllaroska për MIA-n: Jemi të kënaqur nga vendimi qeveritar për punësimin e specializantëve privatë, nesër presim detaje në takimin me ministrin Taravari

Shkup, 24 korrik 2024 (MIA) - Jemi të kënaqur nga vendimi qeveritar për punësimin e specializantëve privatë, por më shumë informata, se si do të zhvillohet gjithë ky proces presim në takimin e nesërm me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, deklaroi për MIA-n Hristina Ilioska Çeshllaroska, specializante private për mjekësi interne.

Ajo kumtoi se nesër në orën 10 do të realizojnë takim me ministrin Taravari në hapësirat e Ministrisë së Shëndetësisë.

"Për nesër kemi caktuar takim me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, pra supozoj se në atë takim do të diskutohet më detajisht se si do të zhvillohen ato punësime. Lexuam se do të jenë 300 këtë vit, ndërsa 300 tjerë vitin e ardhshëm. Nesër presim të saktësohet se cilët do të jenë grupi i parë i të punësuarve, çfarë do të ndodh me ata kolegë që nuk do të përfshihen në fazën e parë të punësimeve etj. Punësimi si pikë ishte një nga kërkesat tona, por duhet të shohim se si do të bëhen ato punësime, në çfarë mënyre, po për ata kolegë që nuk do të përfshihen nga punësimi, nëse do t'u rriten pagat dhe si do të zhvillohet. Të shohim se cila është ideja e tyre", tha Ilioska Çesllaroska dhe njoftoi informacione më të detajuara pas takimit të nesërm.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari kumtoi se në seancën e sotme qeveritare është marrë vendim për punësimin e 300 specializantëve privatë deri në fund të vitit.

"Edhe një premtim i realizuar. Deri në fund të vitit do të punësojmë 300, ndërsa vitin e ardhshëm plus 300 specializantë privatë. Sot me propozimin e ministrisë së shëndetësisë, në mbledhje të Qeverisë, e shqyrtuam dhe miratuam informacionin për punësim të specializantëve privatë nga sfera e shëndetësisë, të nevojshëm për institucionet shëndetësore publike në RMV për vitin 2024", shënoi në rrjetet sociale Taravari.

Me këtë vendim, siç thekson Taravari, Ministria e Financave merr përsipër që deri në dhjetor të vitit 2024 të sigurojë mjete shtesë financiare në vlerë prej 38.000.000 denarë për punësimin e 300 specializantëve privatë.

Në periudhën e kaluar, specializantët privatë kanë kërkuar vazhdimisht kushte më të mira pune dhe të ardhura më të larta. Ata organizuan disa protesta dhe në prill të këtij viti hynë në grevë të përgjithshme.

Ndër kërkesat e tyre janë rritja e pagave, rifutja e sigurimit shëndetësor falas për të gjithë specializantët privatë, si dhe rregullimi i statusit të punës. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR