• e enjte, 26 dhjetor 2024

Çadikovski për MIA-n: Rritje të trendit të sulmeve dhe ofendimeve ndaj gazetarëve, përmes sistemit funksional të mbrojtjes të demotivohen sulmuesit

Çadikovski për MIA-n: Rritje të trendit të sulmeve dhe ofendimeve ndaj gazetarëve, përmes sistemit funksional të mbrojtjes të demotivohen sulmuesit

Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Edhe pse gjendja është relativisht e përmirësuar në krahasim me gjendjen e dhjetë viteve më parë, së fundmi është rritur trendi i sulmeve ndaj gazetarëve, ofendimeve verbale dhe poshtërimeve nga politikanët, konkurrenca e pandershme përmes PR-it agresiv të qeverisë, kushte të pasigurta pune dhe kushte të këqija socio-ekonomike. Është e nevojshme të krijohet një praktikë pozitive gjyqësore me aplikim konsekuent të ndryshimeve në Kodin Penal, në mënyrë që më në fund organet e drejtësisë të kenë qasje proaktive në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, tha për MIA-n kryetari i Shoqatës të Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) Mladen Çadikovski, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave - 3 Maj.

Çadikovski informon se krahasuar me vitin 2021, kur SHGM-ja ka regjistruar pesë sulme, vitin e kaluar numri i sulmeve ndaj gazetarëve është rritur në shtatë, ndërsa rritje ka shënuar edhe numri i padive kundër gazetarëve.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të marra nga Gjykata Themelore Civile Shkup, numri i përgjithshëm i lëndëve aktive në të cilat palë është një gazetar apo një media është rritur në 54, për dallim nga viti 2021, kur shifra ishte 20.

Ajo që është inkurajuese në kontekstin e sulmeve online kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias, sipas Çadikovskit, është se në dhjetor të vitit 2021 është miratuar një vendim gjyqësor në favor të SHGM-së për kërcënim online ndaj të gjithë gazetarëve të shkruar në faqen e SHGM-së në Fejsbuk.

“Ky është shembulli i parë që Prokuroria dhe Gjykata hetojnë dhe sanksionojnë një kërcënim të rëndë online drejtuar gazetarëve. Është e rëndësishme të theksohet se pas disa vitesh insistim të SHGM-së, Prokuroria Themelore Publike Shkup, në tetor të vitit 2022 emëroi një prokuror nga i njëjti institucion si person kontaktues, në lidhje me rastet lidhur me sigurinë e gazetarëve, të cilat janë nën kompetencë të Prokurorisë Themelore Publike Shkup. Në vitin 2023, MPB-ja ka caktuar edhe një person për kontakt për kërcënime përmes internetit ndaj gazetarëve dhe mediave në përgjithësi, me kërkesë paraprake të SHGM-së”, citoi Çadikovski për MIA-n.

Në shkurt të këtij viti u bënë ndryshime në Kodin Penal, të cilat synojnë të barazojnë sulmin ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias si sulm ndaj një zyrtari.

Kjo nënkupton se kërcënimet me jetë të këtij grupi personash do të dënohen me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg. Nëse kërcënimi shkakton një ndjenjë frike ose pasigurie, dënimi mund të arrijë deri në një vit burg. Ndërsa nëse bëhet fjalë për dhunë ndaj këtij grupi personash, në këto momente, dënimi me burg është nga tre muaj deri në tre vjet.

Çadikovski përkujtoi se SHGM-ja ka më shumë se dy vjet që kërkon këto ndryshime dhe është i mendimit se në të ardhmen duhet të krijohet praktikë pozitive gjyqësore me aplikimin konsekuent të këtyre ndryshimeve, në mënyrë që më në fund organet e drejtësisë të kenë qasje proactive, në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.

“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka më shumë se dy vjet që kërkon këto ndryshime, për të siguruar mbrojtje më të madhe sistematike të punëtorëve mediatikë. Ndryshimet parashikojnë disa risi kyçe që janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias, për të cilat SHGM-ja, më parë përgatiti dhe publikoi përvoja krahasuese nga rajoni, ndërsa të cilat i referohen dispozitave ligjore për aktet e vrasjes, detyrimit dhe rrezikimit të sigurisë. Ajo që është e rëndësishme për të ardhmen është krijimi i një praktike pozitive gjyqësore me aplikimin konsekuent të këtyre ndryshimeve në mënyrë që më në fund organet e drejtësisë të kenë qasje proaktive në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve”, shton Çadikovski.

Siç thekson ai, përmes një sistemi funksional për mbrojtjen e gazetarëve, pritet që sulmuesit të demotivohen për të kërcënuar dhe sulmuar në të ardhmen, duke siguruar kështu një mjedis të sigurt si parakusht bazë për punën e tyre.

I pyetur se si e vlerëson gjendjen me lirinë e mediave në vend, Çadikovski është i mendimit se situata është përmirësuar relativisht në krahasim me vitet e kaluara. Por është rritur, siç thotë ai, trendi i poshtërimeve nga politikanët, kushteve të pasigurta të punës dhe kushteve jo të mira socio-ekonomike.

“Me këtë rast, është vendimtare të mendohet për rëndësinë e lirisë së medias dhe rolin e saj në demokraci. Duhet të kujtojmë se “fyerja e gazetarëve është nënvlerësim i qytetarëve”. Ne jemi këtu për t'i shërbyer publikut, jo politikanëve, ndërsa kufizimi i lirisë sonë kërcënon të drejtat e të gjithëve, theksoi Çadikovski për MIA-n.

Me rastin e 3 Majit - Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, SHGM-ja dhe Sindikata e Gazetarëve ftojnë anëtarët e tyre të marrin pjesë në aksionin e sotëm të dhurimit të gjakut, i cili organizohet në hapësirat e Kryqit të Kuq (Dare Xhambaz) në Shkup.

QËNDRONI TË LIDHUR