• e enjte, 26 dhjetor 2024

"Kuvendi për qytetarët" karvani parlamentar kaloi në Gostivar

Gostivar, 9 nëntor 2022 (MIA) - Deputetët nga rajoni i Gostivarit sot morën pjesë në karvanin parlamentar mobil "Kuvendi për qytetarët", si pjesë e aktiviteteve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Ata përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët në sheshin e qytetit i njoftonin me punën e Kuvendit, historinë dhe parlamentarizmin, procedurën legjislative dhe tema të tjera në lidhje me shtëpinë ligjvënëse. Përgjatë bisedës, të zgjedhurit e popullit kishin mundësi që drejtpërdrejt t'i dëgjojnë nevojat dhe pyetjet e tyre. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në fjalimin e tij theksoi se edhe krahas asaj që deputetët shfrytëzojnë zyra për takime me qytetarët në komunat prej ku janë zgjedhur, komunikimi duhet të përforcohet. "Puna në Kuvend kërkon që të jemi të pranishëm aty dhe deshëm ose jo edhe na largon nga komunikimi i drejtpërdrejt me qytetarët. Ky projekt i IDN-së është mënyrë e mirë, që kohë pas kohe të dalim dhe të jemi të pranishëm në mesin e bashkëqytetarëve tanë, të rinjve dhe me kujdes të dëgjojmë se cilat janë nevojat dhe kërkesat e tyre", tha Xhaferi. Dobinë e takimeve të tilla e theksuan edhe deputetët Halil Snopçe, Dafina Stojanoska dhe Dragoljub Filiposki, të cilët në fjalimet e tyre treguan shembuj të bashkëpunimit dhe përfaqësimit të qytetarëve. Fushata "Kuvendi për qytetarët" realizohet në kuadër të "Programit për mbështetje parlamentare", projekt i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes ambasadës zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut. "Programi për mbështetje parlamentare" zbatohet nga Instituti Demokratik Nacional, Instituti për Demokraci "Societas Civilis" - Shkup dhe Qendra për Menaxhim me Ndryshimet. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR